OTP Bank Albania ka marrë zyrtarisht certifikimin ndërkombëtar ISO/IEC 27001, standardin më të njohur global, për sistemet e menaxhimit të sigurisë së informacionit. Ky certifikim përbën një hap të rëndësishëm në transformimin digjital të bankës dhe në garantimin e mbrojtjes së të dhënave të klientëve.
Për OTP Bank Albania, ISO/IEC 27001 nuk është vetëm një arritje teknike, por një vendim strategjik për ta integruar sigurinë e informacionit në çdo hallkë të operacioneve – nga infrastruktura teknologjike, deri tek kultura organizative.
Drejtori i Departamentit të Sigurisë në OTP Bank Albania, z. Reglendi Xhango shprehet lidhur për këtë arritje: “Ky certifikim nuk lidhet thjesht me përputhshmërinë, por me vetë lidershipin. Ai është një dëshmi konkrete që banka e konsideron sigurinë si një element kyç të transformimit digjital dhe e aplikon atë në mënyrë të unifikuar në të gjithë sistemet e saj teknologjike. Rrugëtimi drejt certifikimit ishte një angazhim i përbashkët dhe një investim afatgjatë në cilësi. OTP Bank Albania është një nga vetëm pesë bankat në Shqipëri që ka arritur certifikimin ISO 27001, duke u pozicionuar si lider në fushën e sigurisë së informacionit. Si pjesë e Grupit OTP, ky certifikim e vendos bankën në një pozitë influencuese për inovacionin dhe përparimin në sigurinë kibernetike në rajon.”
Certifikimi ndikon drejtpërdrejt në besimin dhe përvojën e klientëve, pasi çdo shërbim, apo teknologji e re në OTP Bank Albania i nënshtrohet tashmë vlerësimeve rigoroze, sipas standardeve ISO 27001, për të garantuar mbrojtjen e vazhdueshme të të dhënave.
Kjo arritje forcon vizionin e bankës për të udhëhequr me përgjegjësi në peizazhin digjital bankar të Shqipërisë, duke promovuar transparencë, inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm.
OTP Bank Albania është pjesë e Grupit OTP, një prej grupeve më të mëdha bankare në Evropën Qendrore dhe Lindore, që i shërben mbi 17 milionë klientëve në 12 vende. E udhëhequr nga inovacioni, përgjegjësia dhe qasja ndaj klientit, OTP vijon të investojë në transformimin digjital, sigurinë kibernetike dhe praktikat bankare të qëndrueshme — duke ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më inteligjente për klientët e saj. (A2 Televizion)