“Si rrogë e kemi 300, por...” Paga të ulëta e kushte të vështira për punonjësit e pastrimit

Nga Marjo Brakaj
9 Tetor 2025, 15:07 | Ekonomi

“Si rrogë e kemi 300, por...” Paga të ulëta e kushte

“Si rrogë e kemi 300. Ndonjëherë marrim 260, 270 apo 280”, thotë e punësuara në sektorin e pastrim-gjelbërimit Tiranë. Në diell e shi, ditë apo natë, me pagë të ulëta e kushte të vështira, Ardita është një nga 308 punonjësit që pastrojnë rrugicat dhe parqet e Tiranës. Po pavarësisht se pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga shtresa më e varfër e popullsisë, shpesh të margjinalizuara, me ta abuzohet.

“Ka që punojmë jashtë orarit, kur na thonë shefat. Po ça shpërblimi. Ku na jep ne. Ne njëherë na dha Erion Veliaj 100 mijë lekë”, tregon ajo.

Paga që nuk jepen në kohë, sigurime e orë shtesë që nuk paguhen... raport shëndetësor në rast sëmundje që nuk njihet... janë këto disa nga format e shfrytëzimit të tyre sipas një studimi të kryer nga Qendra për të Drejtat në Punë.

“Qoftë në sektorin publik, pra në momentin kur këta punonjës janë drejtpërdrejt në varësi të bashkive, apo edhe në rastin kur janë në varësi të kompanive private, ne kemi shumë punonjës me pagë minimale. 26 për qind e tyre janë me pagë minimale, ndërsa 76 për qind e tyre janë gra”, thotë Eni Mjeshtri, Qendra për të drejtat në Punë, përcjell A2 CNN.

Studimi ka gjetur se kur punonjësit janë organizuar ose kanë denoncuar kushtet e rënda të punës, shpesh janë kërcënuar me largim nga puna. “Në shumë kompani, ekziston një klimë frikësimi që i pengon punonjësit të organizohen apo të kërkojnë të drejtat e tyre”, nxjerr në pah studimi.

“Elbasani është më problematiku dhe kjo del nga “fokus grupet” që ne kemi me vetë punonjësit. Po ashtu edhe Bashkia Elbasan ka dijeni për shkelje të të drejtave të punës për punonjësit”, thotë Mjeshtri.

Për kushtet e punës nuk guxohet të flitet. Fshesa mbetet mjeti që i shoqëron kudo në punën e tyre. “Pra fshesat sepse ata punojnë me ato fshesa. Me ato mjete të prapambetura. Dhe ky është një turp për bashkitë dhe kompanitë. Rrezikohet jeta e këtyre punonjësve”, thotë Mjeshtri.

Në sektorin e pastrimit nuk mungojnë as rastet e aksidenteve në punë, shpesh me raste fatale për jetën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos