"Pa mik dhe pa parti", asnjë “ekselent” i punësuar në shtet në 2024, thirrja vonoi të hapej

Nga Marjo Brakaj
2 Prill 2025, 16:38 | Ekonomi

“As miq e as parti, por përparësi në bazë të parimit meritë-preferencë”. Këtë premtonte kryeministri Rama për studentet ekselentë që kërkojnë të bëhen pjesë e administratës publike. Por kjo nuk po ndodh.

Gjatë 2024-s madje nuk u punësua në shtet asnjë student me rezultate të shkëlqyera pasi thirrja për rekrutimin e tyre u hap vetëm në fund të vitit. “Gati për Shqipërinë”, programi i qeverisë i nisur në 2019-n kishte nisur zbehjen në fakt që në vitet 2022 dhe 2023 me vetëm 50 punësime në total.

Fatkeqësisht Administrata Publike është e politizuar dhe nuk bazohet në meritokraci. Kjo i bën studentët ekselentë të mos gjejnë hapësirat e duhura pasi nuk kanë orientim publik”, tha për A2 CNN, ekspertja e punësimit Mirela Arqimandriti.

Ndonëse do duhej të ishte përmbyllur gjatë 2024-s, 105 studentët ekselentë fitues të një kontrate 1-vjeçare në institucionet e administratës publike u shpallën vetëm këtë fillim-vit. Në thirrje aplikuan 372 studentë të sapo-diplomuar, shifër kjo në rënie në raport me vitet e mëhershme.

Ata pastaj ndoshta preferojnë të punësohen në vende të huaja, ose në Shqipëri në privat. Në administratën publike mendoj se ka shumë probleme që kufizojnë të rinjtë të shpalosin potencialin e tyre”, shtoi ekspertja.

Arsyet e tjera për numrin e ulët të studentëve ekselentë të punësuar në administratën publike vitin e shkuar shtrihen edhe në drejtim të pagave vlerësojnë ekspertët.

Duhet të kemi parasysh që rritja e rrogave nuk prek të gjitha pozicionet. Nuk është se ka uniformitet. Privati vijon të ketë paga më të mira dhe më shumë larmishmëri pozicionesh. Kemi gjithashtu shumë individë që vetëpunësohen”, tha për A2 CNN, ekspertja e tregut të punës, Helena Halilaj.

Që nga çelja e programit “Gati për Shqipërinë”, në 2019n, janë punësuar gjithsej 550 studentë ekselentë në profile të ndryshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos