Punë në ambiente të amortizuara dhe me lagështirë por mbi të gjitha ende pagesa në nivelin e pagës minimale, janë problemet që punonjësit e postës shqiptare hasin pa u marrë asnjë zgjidhje, shkruan A2 CNN. Në kongresin e 3-të të Federatës së Sindikatave të Transportit dhe Telekomunikacionit, Sindikata e Postës Shqiptare rreshtoi kushtet në të cilën administrata punon prej vitesh.
“Kemi dëgjuar punonjësit e zyrave postare të administratës dhe shqetësimet i kemi adresuar. Kërkesat themelore që kemi drejtuar administratorit, janë rritje pagash. Punonjës që marrin 35 mijë lekë të reja. Kërkesa jonë është rritje page 35-50%. Kërkesë tjetër dhe njohja e vjetërsisë në punë sipas kodit të punës. Punohet me përkushtim dhe jashtë orarit dhe turne të treta që nuk paguhen”, thotë Antoneta Likaj, nga sindikata e Postës Shqiptare.
Posta shqiptare përfshin rreth 2 mijë e 500 punonjës në 533 zyra postare në të gjithë Shqipërinë. Funksioni i saj nuk është vetëm aktiviteti tregtar, postat shërbejnë edhe si një ndërmjetëse midis biznesit, qytetarëve dhe institucioneve. Ndërsa funksioni është kryer siç duhet sipas përfaqësuesve të sindikatës, mungesa e mjeteve të punës por edhe amortizimi i zyrave vërehen më shumë postat e rretheve.
“Si ka mundësi që nuk u dhimbkan punonjësit me 35 mijë lekë pagë. Të shikosh te drejtoria e postës në Fier duhet të kalosh mes brejtësve duke luftuar. Ne kërkojmë stilolapsa e na çojnë bojë për të pikturuar. Punonjësit bëjnë punën me mjetet e tyre motorike”, thotë Tonin Gjinaj.
Teksa ankesat i janë drejtuar drejtuesve të postës dhe ministrive të linjës, Sindikata e Postës Shqiptare paralajmëron protesta nëse nuk do të merren zgjidhje nga qeveria. “Në rast se edhe pas kësaj kërkese s’do gjejmë zgjidhje ne do fillojmë grevën 1 orëshe nëpër postat e gjithë Shqipërisë”, thotë Likaj. (A2 Televizion)