Pasagjeri i 10 miliontë, Balluku: Rrisim fluturimet dhe shërbimet, kontribuojmë në ekonomi

Nga Marinela Lina
9 Dhjetor 2024, 14:25 | Ekonomi

Me shumë fluturime, më shumë pasagjerë. Viti ende nuk është mbyllur, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku numëroi edhe udhëtarin e 10 miliontë.

“Të kremtosh sot pasagjerin e 10 miliontë ka kaluar përmes një rruge të vështirë, mbi të gjitha një rrugë plot me dyshime, por edhe për të gjithë të tjerët që e kanë përdorur për narrativë politike. Sot, një moment reflektimi sepse ne nuk udhëhiqemi nga vetëkënaqësia. Sot janë kaluar të gjitha parashikimet tona. Tashmë, ne duhet të punojmë fuqishëm, pasi në vitin 2025, kemi marrë angazhim për të pasur në këtë aeroport mbi 12 milionë pasagjerë.

Nga ajri, toka dhe deti Shqipërinë e kanë vizituar rreth 11 milionë turistë. Ndërkohë aeroporti i Vlorës sipas zëvendës kryeministres do të jetë një ndihmë e madhe në shtimin e turistëve por dhe ekonominë e vendit.

Vitin e ardhshëm presim hapjen e aeroportit të Vlorës që do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve duke ofruar çmime më të mira për biletat, më shumë destinacione fluturimesh dhe më shumë kompani ajrore në vendin tonë”, tha ministrja Balluku.

Për rritjen e numrit të pasagjerëve por dhe të performancës në këtë drejtim të Shqipërisë, vlerësime janë bërë edhe nga shoqata e aviacionit në Europë.

“E bën aeroportin e Tiranës një nga aeroportet yje. E rëndësishme për vet aeroportin për vendin, ekonominë e sektorin e turizmit, ndërsa e dimë që kjo çon në ndërlidhje të zgjeruara ajrore”, tha Olivier Jankovec, kryetar i shoqatës së Aviacionit të Europës.

“TIA është e angazhuar të investojë për të përmirësuar përvojën e pasagjerëve, për të mbështetur sektorin e turizmit, duke shtuar itinerareë të reja dhe duke ofruar tarifat më të ulëta në rajon. TIA ka aplikuar për të vendosur 4.9 mln panele fotovoltaike. Pasagjeri 10 milionë, do të thotë që ne lidhim njerëz, rajon kultura, kontribuojmë në ekonominë e vendit”, u shpreh Piervittorio Farabbi, drejtor i operacioneve, aeroporti ndërkombëtar i Tiranës.

Për vitin 2024 10 milionë pasagjerët udhëtuan në mbi 62 mijë fluturime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos