Prestigj dhe kosto! Samiti i Komunitetit Politik Europian do t’i kushtojë Shqipërisë 2.4 milionë euro

Nga Mario Brakaj
14 Prill 2025, 15:52 | Ekonomi

Kryeministra, presidentë dhe zyrtarët më të lartë të 47 shteteve të Kontinentit Evropian do të mblidhen në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian. Një ngjarje e rëndësishme kjo do të bashkojë udhëheqësit nga Londra në Kiev, nga Oslo në Ankara, për të diskutuar çështje kyçe për të ardhmen e Evropës.

Por veç prestigjit, vendi do të ketë edhe kosto. Për pritjen e përfaqësuesve, anëtarëve të stafit, përkthyesve, vëzhguesve dhe shoqëruesve të liderëve evropianë do të shpenzohen 2.4 milionë euro.

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpallur fituesin e një procedure tenderuese me vlerë 232 milionë lekë për ndërtimin e strukturave pritëse dhe akomoduese për samitin.

Me përmasa më të mëdha në kontekstin gjeopolitik, vitin e shkuar, Shqipëria mikpriti Samitin e Procesit të Berlinit. Organizmi i kushtoi vendit 112 milionë lekë apo rreth 1.1 milionë euro.

Objekti i kontratës specifikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe konstruksioneve të përkohshme, të cilat do të shërbejnë për pritjen dhe zhvillimin e punimeve të nivelit të lartë të këtij samiti, ku pritet të marrin pjesë liderë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve partnere.

Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kontrata është realizuar me procedurën "me negocim, pa njoftim paraprak", me vlerën përfundimtare të kontratës 232 milionë lekë, nga fondi limit prej 235 milionë lekësh.

Në qershor të vitit të shkuar, Shqipëria mikë-priti konferencën e 51-të Rajonale Evropiane të Interpol, e cila pati një kosto prej 198 mijë eurosh.  Me përmasa më të mëdha në kontekstin gjeopolitik në 2023-shin Shqipëria mikpriti Samitin e Procesit të Berlinit. Organizmi i kushtoi vendit 112 milionë lekë apo rreth 1.1 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos