
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme dhënien e një kompensimi financiar mujor për periudhën janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.
Sipas vendimit, kompensimi financiar do të llogaritet dhe do të jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashë page bruto nga 40 000 lekë deri në 49 999 lekë. Masa e kompensimit do të jetë 16.7% e diferencës së pagës së çdo punonjësi në këtë fashë me pagën minimale prej 50 mijë lekësh.
Subjektet përfituese duhet të ushtrojnë aktivitet në sektorët ekonomikë të parashikuar nga lista e veprimtarive ekonomike dhe nuk duhet të jenë në pronësi shtetërore apo ente publike. Gjithashtu, ato nuk duhet të kenë detyrime të papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
Aplikimet për përfitimin e kompensimit do të kryhen në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026. Pagesat do të kryhen çdo muaj nga drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.
Gjithashtu në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe vendimin për përcaktimin e parimeve, rregullave dhe procedurave për menaxhimin, administrimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore të dhëna për huatë e nënhuatë, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të pakthyera të akorduara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para procesit të privatizimit të tyre. (A2 Televizion)