Ekonomia europiane po përballet me risqet të njëpasnjëshme, të cilat rrezikojnë ta fusin sërish në krizë. Pasi kaloi efektet e pandemisë dhe rritjes së tejskajshme të çmimeve, rreziku vjen tashmë nga lufta tregtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti amerikan Trump ka vendosur të taksojë me 20% shumicën e mallrave europiane që dërgohen në Shtetet e Bashkuara, si dhe të vendose një tarifë të veçantë 25% për automjetet dhe produktet industriale. E menjëhershme kundërpërgjigja e Bashkimit Europian për taksimin me një paketë në vlerën e 26 miliardë eurove ndaj mallrave amerikanë, si çeliku, alumini, tekstile e produktet bujqësore.
Kjo luftë tarifash, për momentin e ngrirë, pritet të ndikojë ekonominë europiane, duke ngadalësuar aktivitetin prodhues dhe tregtar të saj.
Për këtë vit, rritja ekonomike e Bashkimit Europian pritet të jetë 1.5%, ndjeshëm më e lartë se ajo e viteve të fundit. Por ky parashikim është bërë më përpara se të niste lufta tregtare e Trump, çka do të thotë se duhen pritur efektet e tarifave dypalëshe, kur të hyjnë në fuqi.
Një ngadalësim i mundshëm i ekonomisë europiane do të kishte efektet të pashmangshme në ekonominë tonë.
Kjo për shkak të nivelit të lartë të importeve nga BE-ja, çka pritet të shoqërohet me rritje të çmimeve të produkteve; efektet do të ndihen tek remitancat, pasi të parët që preken nga një krizë janë emigrantët; një krizë e mundshme do të ketë ndikim edhe tek investitorët, të cilët kur ka kriza dhe paqartësi stepen në vendimmarrjet e tyre; gjithashtu nuk përjashtohet ndikimi te turizmi pasi turistët do të tregohen më të kujdesshëm me lëvizjet dhe shpenzimet. Për shkak të faktorëve të mësipërm, pasojat do të ndihen edhe në tregun e këmbimit, ku pritet një pakësim i sasisë së euros në qarkullim.
Situata ekonomike e Bashkimit Europian me rrezikun e recensionit të mundshëm do të diskutohet edhe në samitin e Tiranës. Ndjekim një material dhe rikthehemi. (A2 Televizion)