"Ruani faturat!" Kompensim për fëmijët nën 18 vjeç nga viti i ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
26 Maj 2025, 15:12 | Ekonomi

Nga viti i ardhshëm, njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten automatikisht 48 mijë lekë nga baza e tatueshme kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale. Nëse paga e tij apo e saj mujore bruto gjatë 2025-s ka qenë në vlerën e 150 mijë lekëve, rrjedhimisht me të ardhura vjetore 1 milion e 800 mijë lekë, duke zbritur nga 30 mijë lekë çdo muaj si pjesë që nuk tatohet...detyrimi për 12 muajt përllogaritet në 187 mijë e 200 lekë. Por duke hequr edhe shumën prej 48 mijë lekësh në vit për fëmijën në përkujdesje, tatimi vjetor zbret në 180 mijë e 960 lekë. Pra, ky individ i punësuar do të paguajë 6 mijë 240 lekë më pak tatim, që rrjedhimisht përkthehen në më tepër para në xhepa.

"Ruani faturat!" Kompensim për fëmijët nën 18

“Është një vlerë që ne e kemi kalkuluar për 500 mijë fëmijë sipas Censit të fundit dhe që mund ta përfitojnë prindërit e tyre. Ai që i ka të ardhurat më të larta dhe nëse do e bënim për të 500 mijë fëmijët, besoj që mund të arrijë... këto janë vlera paraprake, por mund të arrijë deri në 20 milionë euro”, thotë drejtori i Përgjithshëm i DPT-së, Ilir Binaj për A2 CNN.

E njëjta logjikë vlen edhe për familjet me dy fëmijë nën 18 vjeç. Shpenzimet e zbritshme vjetore në këtë rast përllogariten në 96mijë lekë. Pra prindi me të njëjtën pagë, 150 mijë lekë në muaj do të paguajë tatim vjetor në vlerën e 174 mijë e 720 lekëve... 12 mijë e 480 lekë më pak nga sa do t’i merreshin nëse nuk do të kishte fëmijët minorenë në përkujdesje. 

"Ruani faturat!" Kompensim për fëmijët nën 18

“Kjo është një mënyrë që bëhet në shumë vende. Unë e kam parë në Amerikë. Është një mënyrë që ti në një farë mënyre do të ndihmosh familjet e shumë fëmijë... pasi edhe situata financiare e shumë familjeve është e ndryshme nga tjetra dhe patjetër ato që kanë më shumë fëmijë në varësi duhet të kenë më shumë ndihmë”, thekson Binaj për A2 CNN.

Ndërkohë pas ecurisë pozitive gjatë 2024-s,administrata tatimore po vijon të performojë mirë ehe këtë vit në drejtim të mbledhjes së të ardhurave.

“4-mujori rezultoi me rritje. Pra Administrata Tatimore ishte në gjendje të mblidhte rreth 12 milionë euro më tepër nga sa ishte plani dhe rreth 160 milionë euro se në po të njëjtën periudhë kohore të vitit të shkuar”, shton drejtori i Përgjithshëm i DPT-së për A2 CNN.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po përgatitjet edhe për zbatimin e nismës së qeverisë për “Paqen Fiskale” me bizneset e cila pritet të nisë të zbatohet së shpejti.

"Ruani faturat!" Kompensim për fëmijët nën 18

“Sapo ajo të bëhet ligj, do ta implementojmë menjëherë. Administrata Tatimore ka eksperiencë në këtë drejtim dhe nuk do të kemi probleme”, thekson Binaj për A2 CNN.

Ndërkohë, nga viti i ardhshëm për prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1 milion e 200 mijë lekë në vit, do të aplikohen edhe shpenzimet e zbritshme për arsimimin e fëmijëve në masën maksimale 100 mijë lekë. Pra, prindi nuk do të paguajë 109 mijë e 200 lekë tatim në vit, por89 mijë e 960, duke kursyer kështu 19 mijë 240 në vit.

                       (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos