Shkopinj në rrota për pensionet, bizneset dhe institucionet s’po paguajnë sigurimet e punonjësve të tyre

Nga Marjo Brakaj
9 Shtator 2024, 15:55 | Ekonomi

Që skema e pensioneve mos kolapsojë dhe të moshuarit të marrin më tepër para, duket luftuar informaliteti. Nga kongresi i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se kush nuk deklaron pagën e plotë të punonjësit do të trajtohet si “hajdutët e energjisë”.

“E thënë me fjalë të tjera, do bëjmë me kuotat e sigurimeve atë që bëmë me faturat e energjisë. Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”, tha kryeministri Edi Rama.

Bizneset dhe institucionet publike nuk po paguajnë detyrimet e sigurimeve punonjësit e tyre. Nga më shumë se 136 miliardë lekë të planifikuara për t’u mbledhur deri në korrik, nga sigurimet shoqërore u arkëtuan më pak se 80 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 59 për qind e planit, shkruan A2 CNN.

“Po të shikojmë që sot paguajnë sigurimet shoqërore vetëm 38% e popullsisë në moshë pune, ky është një koefiçent shumë i ulët”, thotë për A2 CNN Ramadan Kondi, njohës i sistemit të pensioneve.

Mos-pagesat nga bizneset dhe institucionet publike shtrihen edhe në drejtim të sigurimeve shëndetësore. Nga më shumë se 20 miliardë lekë të planifikuara për t’u mbledhur deri në korrik, nga sigurimet shëndetësore u arkëtuan rreth 13 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 60 për qind e planit.

Ndërkohë vetëm gjatë vitit të shkuar, detyrimet e tyre ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zgjeruan me 200 milionë lekë. Nga 20,5 miliardë lekë në vitin 2022, gropa e krijuar në skemën e pensioneve nga mos-pagesa e sigurimeve arriti në 22,5 miliardë lekë fund-vitin e shkuar. “Në vitin 2015, kur u reformua skema e pensioneve, vetë institucionet shtetërore bënë një punë të mirë në luftën ndaj fenomeneve negative, përfshirë informalitetin. Kjo ndikoi në shtimin e ndërgjegjësimit dhe rritjen e kontributeve. Por, dalëngadalë gjithçka u zbut dhe ndaj po ndodh kjo situatë”, thotë Kondi.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se politika e rritjes së pagave nga qeveria në thelb të saj ka pikërisht derdhjen e më shumë kontributeve, për të mos lejuar skemën të shkojë në kolaps. Por, zgjerimi i detyrimeve ndaj saj nga bizneset dhe institucionet cenon jo vetëm stabilitetin fiskal aktualisht të sistemit të pensioneve, por po bëhet shkak për një problem më të madh social në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos