Shqipëria është tashmë pjesë e SEPA. 6 muaj pas aplikimit nga Banka e Shqipërisë, vendi ynë ka arritur të marrë dritën jeshile në Tregun Unik të Pagesave në Euro, duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen shtrirjes gjeografike SEPA.
Lajmi është bërë i ditur nga Këshilli Europian i Pagesave në faqen zyrtare, shkruan A2 CNN.
Giorgio Andreoli, drejtor i përgjithshëm i Këshillit të Pagesave në Euro, u shpreh: “Përfshirja e Shqipërisë si pjesë e fushës gjeografike SEPA është një progres i mëtejshëm për këshillin (EPC), në përputhje me misionin për harmonizimin dhe integrimin e pagesave elektronike në nivel europian”.
Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të Këshillit, do të mundësohet duke filluar nga prilli 2025. Shqipëria aplikoi për herë të parë në qershor 2024.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në shtrirjen gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët e vendit për të përafruar me standardet dhe parimet evropiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”, deklaroi Andreoli.
Por, çfarë do të përfitojë Shqipëria nga përfshirja në SEPA? Përtej rëndësisë politike në kuadër të integrimit europian të vendit, pjesëmarrja në SEPA ka një sërë përfitimesh për konsumatorin biznesin dhe ekonominë shqiptare.
Pagesat ndërkufitare në euro me kosto 5 herë më të ulëta me vendet anëtare, lehtësira në dërgesat e emigrantëve duke nxitur dhe përdorimin e kanaleve zyrtare, zgjerim të marrëdhënieve tregtare. Anëtarësimi në SEPA, sipas Bankës së Shqipërisë, pritet t’i sjellë vendit një kursim vjetor vitin e parë deri në 20 milionë euro. (A2 Televizion)