Moment historik që afron qytetarët dhe bizneset shqiptare me tregun unik të BE-së, e konsideroi ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato futjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro. Komentin e bëri gjatë një takimi me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon.
“Ky moment historik do t'i afrojë qytetarët dhe bizneset shqiptare me Tregun Unik të BE-së, duke mundësuar një proces që gradualisht do të sjellë transaksione me tarifa më të lira dhe më të shpejta me BE-në”, tha ambasadori Gonzato.
Nga janari 2025, shqiptarët do të bëjnë transferta parash drejt BE-së dhe anasjelltas pa asnjë kosto financiare.
Gjatë takimit, guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Gonzato për hapjen zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Europian që shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në. (A2 Televizion)