Shumë firma, pak rezultate. Zotime për bashkëpunim në Ballkan, por ky i fundit nuk po ndodh

Nga Marjo Brakaj
16 Qershor 2025, 15:14 | Ekonomi

Nisma dhe marrëveshje që i lënë vendin njëra-tjetrës, ministeriale e samite që përmbyllen me zotime për bashkëpunim, por ky i fundit nuk po ndodh. Përkundrazi! Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po largohen nga njëra-tjetra, të paktën në një drejtim... atë të tregtisë së jashtme. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se importet nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina gjatë vitit të shkuar ranë mesatarisht me 20 për qind në krahasim me vitin 2023.

Shumë firma, pak rezultate. Zotime për bashkëpunim në

“Kemi më pak blerje. Kjo për shkak të efekteve të inflacionit. Të gjitha vendet e Rajonit dhe më gjerë janë prekur”, thotë për A2 CNN, Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve.

Paradoksalisht me pritshmëritë, rënia më e fortë e importeve gjatë vitit të shkuar është regjistruar me dy vendet e Rajonit me numrin më të lartë të marrëveshjeve të firmosura: Malin e Zi dhe Kosovën.

“Është krijuar një mosbesim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipërmarrësit shqiptarë bëjnë biznes me çdo drejtim, veç shqiptarëve të Shqipërisë. Nëse do të merrnim të mirëqena ato që firmosin politikanët, do të thosha se kemi marrë fund”, thotë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ecuri e ngjashme rezulton edhe në kahun tjetër, atë të eksporteve. Kompanitë shqiptare shitën 11 për qind më pak mallra në Serbi, 24 për qind më pak në Maqedoninë e Veriut dhe 24 për qind më pak në Bosnje-Hercegovinë.

Shumë firma, pak rezultate. Zotime për bashkëpunim në

“Në Kosovë kemi humbur dy nga tregjet kryesore: frutat dhe perimet, si dhe materialet e ndërtimit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtetet e tjera të Rajonit”, thotë Zusi.

“Duhet të lihen mënjanë populizmat me Open Balkan apo nisma të tjera. Duhen masa konkrete për të rritur bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Gërxhaliu.

Në tkurrjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të Rajonit ka ndikuar edhe koha e gjatë e pritjes së kamionëve në pikat doganore. Ndonëse në një zbutje të lehtë, për të eksportuar dhe importuar produkte, kamionët pritën mesatarisht 1 orë e 20 minuta.

Shumë firma, pak rezultate. Zotime për bashkëpunim në (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos