“Të vdekur pa paratë e fëmijëve”. Rekord, emigrantët sollën gjysmë miliardë euro pranë familjeve

Nga Marinela Lina
10 Shtator 2024, 16:19 | Ekonomi

“Po nuk dërguan fëmijët ne jemi të vdekur fare”... Me qëllim kryesor për të ndihmuar familjet në atdhe por dhe përballuar jetesën, dërgesat e emigrantëve në tremujorin e dytë të vitit arritën në nivele rekord. Vlera më e lartë në 16 vitet e fundit kur filluan edhe përllogaritjet nga Banka e Shqipërisë.

Nëpërmjet rrugëve zyrtare pranë familjeve shqiptare u dërguan 268 milionë euro, 38.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Të vdekur pa paratë e fëmijëve”. Rekord,

Pensionistët por dhe familjet në nevojë janë kategoritë më të varura nga remitancat. “Na dërgojnë para fëmijët kur të kenë terezinë e tyre. Unë kam punuar tregti 35 vjet kur erdhi fundi 150 mijë lekë pension që shkon drita e ilaçe”, “Të punosh 40 vjet dhe të dalësh në pension tani afër e të marrësh 210 mijë lekë ca do bësh?”, thonë të moshuarit për mikrofonin e A2 CNN.

Sasia e eurove të dërguara pranë familjeve nga emigrantët, në gjysmën e parë të vitit arriti në 509 milionë euro.

“Të vdekur pa paratë e fëmijëve”. Rekord,

Që nga viti 1992 kur nisën dhe flukset e para të prurjeve, si pasojë e zgjerimit të emigracionit, remitancat gjithmonë e më shumë po ndikojnë në jetën socio-ekonomike të vendit. Dërgesat e emigrantëve përkthehen në një burim kryesor për familjet shqiptare, nxisin më tej konsumin por dhe mundësojnë kursimin.

“Është tregues pozitiv se ekonomia rritet, do kesh më shumë para për blerjen e mallrave dhe shërbimeve”. “Është vetëm për pensionistët dhe për ata që s’kanë asnjë të ardhur”. “Nëse nuk do t’i ndihmonim pak do ishte e pamundur që prindërit të përballojnë jetesën”, thonë të moshuarit.

Sa më shumë para që dërgohen si në kanale zyrtare apo informale, aq më shumë ndikohet kursi i këmbimit duke e zhvlerësuar më tej euron. Me një euro të zhvlerësuar deri në 6 pikë në gjysmën e parë të vitit, qytetarët përfituan më pak para teksa I këmbyen në lekë në pikat e këmbimit valutor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos