"Inteligjencë Artificiale për zhvillimin e vendit", ministrja Ibrahimaj prezanton strategjinë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2025, 14:33 | Ekonomi

"Inteligjencë Artificiale për zhvillimin e vendit",

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha sot se “qeveria është duke ndërtuar strategjinë e re mbi Inteligjencën Artificiale për përdorimin e saj në çdo komponet, me qëllim zhvillimin e vendit”.

E pranishme në takimin që u zhvillua në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji NEST, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, ajo theksoi se, “takimi i sotëm me ndërtuesit ka në fokus inovacionin, si një mundësi e mirë për të çuar përpara këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit”.

Ibrahimaj vlerësoi rëndësinë e zbatimit të teknologjive inovative në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa theksoi se, “tashmë platfomat inovative shërbejnë edhe për rritjen e financimit të sipërmarrjeve dhe veçanërit të sektorit të ndërtimit, që luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit”.

“Qeveria ka një vizion të qartë që vetëm përmes inovacionit, digjitalizimit, ekonomia shqiptare do të zhvillohet”, u shpreh Ibrahimaj, teksa tërhoqi vëmendjen se në sektorin privat teknologjitë inovative kanë nivel më të ulët përdorimi, në një kohë kur zbatimi i teknologjive të reja ul kostot dhe po rrit efikasitetin në prodhim.

“Takimi që zhvillohet sot në qendrën NEST ka për qëllim të na njohë sesi IA dhe zhvillimet teknologjike arrijnë të monitorojnë projekte në mbarë Shqipërinë dhe të reduktojë gabimet e mundshme. Ndërsa prezantimi i një start-up të ri do të na tregojë për lehtësitë që sjell përdorimi i teknologjisë në rritjen e aksesit në financim”, tha Ibrahimaj.

Sipas ministres, tashmë ka ardhur koha që financimi të mos jetë i fokusuar vetëm në kreditimin e bankave, por dhe në instrumente të reja teknologjike (promovim i biznesit në real estate apo qendra tregtare) ndihmon në zgjerimin e aksesit për financim nga investitorët apo partnerë ndërkombëtarë që kanë interes të investojnë në Shqipëri.

“Për këtë qëllim ne do të prezantojmë sot një platformë që rrit aksesin në financim me përfitim nga sipërmarrësit si në kosto, dhe lehtësi përfitimi”, tha ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos