Nga Thethi në Gjirokastër, rreth 2800 shprehje interesi për “paketën e maleve” në 2 javë

Nga Marjo Brakaj
28 Korrik 2025, 16:36 | Ekonomi

Rreth 2 mijë e 800 shprehje interesi në pak më shumë se 2 javë nga nisja e aplikimeve... “Paketa e Maleve” po josh shqiptarët. “Presim që interesi për 'Paketën e Maleve' të vijë në rritje gjatë ditëve në vijim. Deri tani, shifrat janë inkurajuese, por potenciali është edhe më i madh. Arsyeja është e thjeshtë: zonat malore në Shqipëri, përfshirë ato me bukuri të rralla natyrore dhe trashëgimi kulturore, kanë qenë të lëna pas dore për vite me radhë. Krahasuar me zonat bregdetare, ato kanë marrë më pak vëmendje, si nga shteti ashtu edhe nga investitorët privatë. Kjo skemë është një përpjekje konkrete për të balancuar zhvillimin dhe për të sjellë më shumë mundësi ekonomike në këto territore të izoluara”, thotë për A2 CNN Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i MEKI.

Heqje e taksës mbi pronën e infrastrukturën bashkë me përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ai nga të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë qytetarët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri.

“Aktualisht jemi në fazën ku bashkitë janë duke identifikuar zonat përfituese, bazuar në potencialin natyror, turistik dhe ekonomik që ato ofrojnë. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit, sepse përzgjedhja e duhur e territorit do të garantojë që investimet të shkojnë pikërisht atje ku ka nevojë dhe mundësi reale zhvillimi”, thotë Musabelliu.

Përparësi për investime me anë të “Paketës së maleve” do të kenë ata individë që tashmë shfrytëzojnë këto zona. Ata që i kanë në përdorim prej më shumë se 10 vitesh, mund të blejnë këto prona me çmimin simbolik “1 euro”.

“Qëllimi ynë është t’u japim përparësi atyre që e njohin terrenin dhe kanë kontribuar ndër vite në mbajtjen gjallë të këtyre zonave. Nëse dikush e ka pasur një pronë apo tokë në përdorim për më shumë se 10 vjet, tani ka mundësinë ta bëjë të vetën, me një çmim simbolik prej vetëm 1 euro. Kjo është një mënyrë konkrete për të motivuar qëndrimin në zonat malore dhe për t’i kthyer ato në qendra të vogla zhvillimi”, thotë Musabelliu.

Nga zero taksa te prona për 1 euro, ‘Paketa e Maleve’ po shfaqet si një mundësi e re ekonomike dhe sociale për Shqipërinë e lartësive. Sfida mbetet në zbatimin në terren, aty ku historia e politikave shqiptare shpesh ka ngecur. Por nëse interesimi i qytetarëve shoqërohet me mbështetje të vërtetë institucionale, ky program mund të jetë më shumë se një paketë, mund të jetë një kthesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos