Është hapur këtë të mërkurë gara ndërkombëtare për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, që u quajt “një gur kilometrik” të infrastrukturës shqiptare nga ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Është një nga mjetet e transportit më të rëndësishëm sipas Bashkimit Europian, sidomos për Ballkanin Perëndimor”, tha Balluku, shkruan A2 CNN. “Kjo hekurudhë lidh Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, tradita dhe mbi të gjitha aspiratën për t’u bërë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian”.
Sipas Ballukut, linja që nis në Vorë dhe përfundon në Hanin e Hotit, është 120 km e gjatë. Është parashikuar të ndërtohen dhe ristrukturohen 12 stacione, ndërsa do të ketë edhe 12 ura dhe një tunel në zonën e Lezhës me gjatësi 320 metra.
Balluku tha gjithashtu se shpejtësia e udhëtimit me tren do të jetë 120 km/h. “Rruga do të përshkohet për dy orë mesatarisht me një fluks vjetor 2,3 milionë pasagjerëve, ose 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit. Vënia në funksion pritet të jetë me një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik, parashikohet të punësohen 1000 persona”, tha ministrja. (A2 Televizion)