Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet dhe merr të pandehur 28 persona, staf të Universitetit Bujqësor në Kamëz, mes të cilëve pedagogë dhe biznesmenë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
Katër muaj pas arrestimit të tyre, SPAK tashmë ka përgatitur dosjen për ta dorëzuar në Gjykatën e Posaçme, shkruan A2.
Hetimi për stafin pedagogjik të Bujqësorit kishte nisur që në vitin 2022, zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë 2 zëvendësrektorët Ilir Kapaj dhe Romina Kotaj, si dhe administratorin, Edmond Tërthorja në bashkëpunim me biznese manipuluan procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”.
Sipas SPAK, firmat jo vetëm favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por edhe bënin oferta fiktike në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave. Hetimet zbuluan më tej nëntë procedura tenderimi fiktive gjatë vitit 2022 në vlerën 90 milionë lekë të reja.
Dokumentet hetimore, sqaronte SPAK, tregonin se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, duke treguar se fituesit ishin vendosur paraprakisht. Ky manipulim ka përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar.
Në shkuart të këtij viti, kryeministri Edi Rama reagoi pas arrestimit të të dyshuarve, duke i cilësuar masat e caktuara nga GJKKO si masa sigurie pa gjyq, ndërsa rektori i Universitetit, Fatbardh Sallaku që, sipas Ramës, nuk kishte lidhje me hetimin, foli për këtë çështje një ditë arrestimeve, edhe në një mbledhje të hapur në grupin parlamentare të Partisë Socialiste. (A2 Televizion)