Ish-prokurori Arjan Ndoja dëshmon në GJKKO për atentatin, nga plumbat te Rama e Braçe

Nga Armand Bajrami
27 Qershor 2025, 15:40 | Kronikë

Ish-prokurori Arjan Ndoja, aktualisht deputet i zgjedhur i Partisë Demokratike, u ul të premten në bankën e dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj Plaurent Dervishajt e Julian Meçes në Gjykatën e Posaçme. Të dy gjykohen për atentatin ndaj tij në vitin 2019, ku Ndoja dhe Aleksandër Laho u plagosën dhe u vra shoferi i mjetit, Andi Maloki.

Para gjykatës ish-prokurori tha se në 1 nëntor 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozetit ishte goditur prokurori dhe jo Arjan Ndoja. Për ditën e ngjarjes ai tha se kishte drekuar me disa persona dhe Lahon, të njohur si Rrumi i Shijakut, të cilin e kishte njohur kur kishte qenë avokat dhe se kishin qenë bashkë në makinë kur ndaj tyre u qëllua me plumba. 

“Në momentin e atentatit, ishte një makinë pas nesh, unë i kam parë në video, se me sy jo. Mjeti erdhi nga pas, nisën të shtënat mbrapa pastaj doli në krahun tim dhe ka gjuajtur. Shoferi i ndjerë, rriti shpejtësinë dhe ngadalësoi kohën. Në momentin e ngjarjes nuk e sheh dot kush të gjuan. ... Në makinën time ka pasur 13 predha. Unë nuk jam ankuar ndonjëherë në prokurori, nuk kam kërkuar arsye, nuk kam dhënë asnjë deklaratë. E njoh mirë këtë sistem drejtësie”, tha ai.

Ndoja tha se në kohën e ngjarjes nuk kishte asnjë shqetësim, përveç atij që lidhej me kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministrin, Erion Braçe.

“I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeministri, ish zv kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetingun e famshëm. Unë vetëm një shqetësim kam pasur në atë kohë, deklaratat e drejtuesve të qeverisë. Sepse mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me vetingun”, theksoi Ndoja.

I pyetur nga prokurori Adnand Xholi, nëse mendonte se kryeministri apo zv.kryeministri kishin lidhje me atentatin ndaj tij Ndoja u përgjigje me “jo, nuk e di”.

Tension në sallë krijuan edhe pyetjet e të pandehurit Dervishaj. A ke informacione ti, pyet i pandehuri ish-prokurorin, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë? Mos e kam marrë porosinë nga Erjon Braçe?

Dëshmitari i tha se të dëgjuar ata i merrte me rezerva dhe se po e shihte në sy të pandehurin, që sakaq i tha “në sy të shoh edhe unë”, ndërsa ish-prokurori vijoi: “E shoh, je trim ti”. Më tej Dervishaj i tha se “ti kujton se po të kesh gisht tek atentati im, do të të fal”, duke ju referuar atentatit të ndodhur ndaj tij në qershor 2019, por Ndoja i tha se “Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin”.

Në seancën e së enjtes dëshmoi edhe ish-deputeti Halit Valteri, i cili tha se kishte treguar në foltoren e parlamentit një video të servirur nga Genci Maloku, babai i shoferit të vrarë në atentatin ndaj Ndojës, ku pretendohej se shfaqeshin autorët e atentatit.

“E kam përdorur për çështje politike për të rritur statusin tim si deputet i opozitës”, tha Valteri, që pohoi se nuk i njihte personat në videon e publikuar prej tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos