
Policia ka zbuluar një tjetër apartament të marrë me qira ku ushtrohej prostitucion, duke arrestuar dy gra vietnameze. “Blutë” bëjnë me dije se shtataset për të kryer këtë veprimtari kriminale, komunikonin me shtetas të ndryshëm, në rrjete sociale.
“Në vijim të operacioneve të bazuara te puna informative, me objektiv konstatimin e ambienteve të vëna në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Ilegal chat”. Gjatë tij, u arrestuan shtetaset vietnameze, Th. A., 51 vjeçe dhe Th. P., 33 vjeçe. Ato dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Naim Frashëri”. Nga verifikimet rezultoi se bisedat për kryerjen e kësaj veprimtarie, kryheshin në rrjete sociale”, thuhet në njoftim.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)