
Policia e Vlorës ka goditur një rast të trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave për prostitucion, duke vënë në pranga dy shtetas kinezë, ndërsa një tjetër shtetase është shpallur në kërkim. Sipas njoftimit të Policisë
“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion. Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. 2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim”, njofton policia.
Sipas policisë, këta shtetas dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në apartamentin e marrë posaçërisht për këtë qëllim. Shtetasja J. G. dhe një shtetas shqiptar, E. B., i cili u gjet në ambientet e apartamentit, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.
Policia njofton se vijon puna për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)