20 mijë euro "gjobë" biznesmenit, si ra në "kurth" kryekomisari me precedentë, Gazment Preçi

Nga Armand Bajrami
16 Gusht 2024, 18:42 | Kronikë

Gazmir Preçi, shefi i sektorit kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve ne Policinë e Durrësit u prangos me urdhër të SPAK pas dyshimeve për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”, por historia e tij i ngjan asaj të një gjobëvënieje.

Burime pranë SPAK bëjnë me dije se zyrtari i Policisë është kallëzuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore nga administratori i një klubi nate në qytetin e Durrësit.

Sipas kallëzuesit, Preçi e ka thirrur në zyre dhe i ka bërë me dije se kishte probleme me lokalin, pasi kishte tre punonjëse të pasiguruara. Në ditët në vijim, përmes një ndërmjetësi, zyrtari i policisë i ka kërkuar 20 mije euro në këmbim të mos bllokimit të aktivitetit të tij në lokalin e natës.

Pas administrimit të kallëzimit, AMP ka referuar rastin në SPAK dhe shefi i anti-drogës së qytetit bregdetar është vënë nën vëzhgim dhe prokurori që ndoqi hetimin ka autorizuar një dorëzim të kontrolluar të parave.

Takimi mes pronarit të lokalit dhe kryekomisarit Preçi është realizuar në një bar në zonën e Kinostudios në Tiranë. Sipas burimeve, pa ditur se ishte në vëzhgim dhe përgjim ambiental, zyrtari i policisë ka pranuar shumën prej 10 mijë euro, moment kur edhe është arrestuar në flagrancë.

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, e konsideroi arrestimin e Preçit, si një mesazh për ata punonjës policie, të cilitdo niveli, që do të tentojnë të cenojnë besimin e qytetarëve tek Policia, duke u hequr si padronë të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtorë të ligjit, se do të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Në vitin 2021 Preçi, si ish-shef i komisariatit të Policisë Mallakastër, u arrestua për “shpërdorim të detyrës” dhe “kultivim të narkotikëve”, por çështja ndaj tij u pushua një vit më vonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos