Gjatë një takimi informal me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se SPAK është i detyruar të regjistrojë hetim penal për “21 Janarin”.
“Jemi të detyruar të zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Kur të vijnë aktet do të regjistrojmë hetimin penal. Do të shihet në vijim edhe bashkëpunimi me Prokurorinë e Tiranës”, tha Dumani.
Reagimi vjen pak ditë pasi Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit përmes të cilit urdhëron Prokurorinë e Posaçme, SPAK, të hetojë dosjen “21 Janari”.
Vendimi i shpallur më 12 mars nga një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë i dha të drejtë Rajmonda Nikës, bashkëshortes së viktimës Aleks Nika. Bashkëshortja e Nikës, vrasja e të cilit më 21 janar 2011 është ende pa autor, kundërshtoi vendimin e SPAK për të dërguar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim të bërë prej saj, ku janë të kallëzuar ish-kryeministri, Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi.
Mes të tjerash në arsyetimin e Gjykatës së Lartë është paraqitur edhe transkriptimi i një videopërgjimi i ditës së ngjarjes, i cili nuk është marrë dhe as nuk është administruar prej drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme para se të merrte vendimin për të shpallur moskompetencën lëndore, është një provë shumë e rëndësishme, e cila e bën kompetente vetëm SPAK për regjistrimin e këtij procedimi penal dhe hetimin e kësaj çështje.
Në vendimin e zbardhur, të përbërë nga 35 faqe në total, Gjykata e Lartë thekson se edhe Gjykata e Strasburgut në një vendimmarrje të mëhershme ka evidentuar mangësi specifike në hetimin për vdekjen e Aleks Nikës dhe se autoritetet kanë dështuar të kryejnë një hetim efektiv për ngjarjen.
Po referuar Strasburgut, Gjykata e Lartë thekson se përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës nuk është zbardhur nga hetimi përkatës. Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK pritet të regjistrojë kallëzimin e Rajmonda Nikës dhe të nisë hetimet për “21 Janarin”. (A2 Televizion)