
Projektligji socialist nuk redukton vetëm numrin e bashkive, por sjell një realitet të ri në pushtetin vendor: një strukturë me tre nivele, 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.
Me këtë ndarje të re duhet të ndryshojë edhe neni 6 i ligjit për vetëqeverisjen vendore për përbërjen e bashkive. Por nuk është vetëm kjo që preket.
Për të shuar zemërimin popullor se çfarë peshe dhe roli do të kenë qytetet jo bashki, të cilat nuk do të kenë as kryetar të zgjedhur dhe as këshill bashkiak, por një nënkryetar të emëruar, socialistët kanë menduar që t’u lënë atyre përfaqësim proporcional në këshillin bashkiak të bashkisë mëmë.
Sipas Kodit Zgjedhor, sot është e pamundur, pasi lista e këshilltarëve bashkiakë është e mbyllur. Po marrim shembull bashkinë e Elbasanit, të cilën socialistët kanë propozuar ta zgjerojnë me Cërrikun dhe Belshin, dy njësi që në vitin 2023 kanë qenë bashki më vete dhe me realitetin e ri do të jenë vetëm qytete.
Nëse ideja e socialistëve miratohet, në pranverën e vitit 2027 zgjedhësit do të jenë para dy fletëve të votimit: e para me emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe tjetra për këshillin, që në përbërje ka vetëm emrat e subjekteve zgjedhore, jo të këshilltarëve. Shpërndarja e mandateve bëhet sipas renditjes në listën e mbyllur, shkruan A2CNN.
Por si mundet që në këshillin e ri bashkiak të vitit 2027 të përfaqësohet Belshi dhe Cërriku me anëtarët e saj? Sërish politika në Tiranë do të vendosë!
Skenari i parë, pa ndryshime ligjore, është që të lihet në vullnetin e kryetarëve të partive që në renditjen potenciale të listës fituese të ketë nga tre qytete në mënyrë proporcionale.
Ndërsa skenari i dytë është që të preket Kodi Zgjedhor, duke i vendosur kuota të përcaktuara listës për këshilltarë bashkiakë në çdo bashki të madhe, që të përfaqësohet çdo qytet në përbërjen e saj.
Një arnim në Kod, i cili mund të kapet në kohë, për shkak se puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore ka afat deri në fund të nëntorit.
Por pikëpyetja mbetet nëse kjo mund të shërbejë si një pikë vlimi që dialogu politik të shkërmoqet edhe në të vetmen strukturë parlamentare, me nisjen e sesionit të ri politik, pasi demokratët janë kundër ndarjes së re territoriale. (A2 Televizion)