Çfarë ndodhi në det? Të shtëna me armë, Policia kap jahtin pas dy orësh ndjekje

Nga Edi Ruçi
2 Gusht 2026, 23:21 | Kronikë
Çfarë ndodhi në det? Të shtëna me armë, Policia

Një jaht nga i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër është ndaluar pas një operacioni të forcave të Policisë Kufitare, Delta Force dhe FNSH-së, ndërsa aktualisht po shoqërohet drejt Porto Palermos, raporton A2 CNN.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, pasi pushues të zonës së Palasës kanë njoftuar policinë për të shtëna me armë zjarri në ajër, që dyshohet se vinin nga drejtimi i një jahti.

Pas të shtënave, dy persona që ndodheshin në gomonen e jahtit kanë tentuar të largohen në drejtim të bregut. Megjithatë, pasi kanë konstatuar praninë e policisë, ata janë kthyer sërish drejt jahtit.

Më pas, jahti është larguar nga zona duke fikur dritat, në përpjekje për të shmangur identifikimin dhe ndjekjen nga autoritetet.

Policia Kufitare, së bashku me Delta Force dhe FNSH-në, janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues. Operacioni ka zgjatur rreth dy orë, deri në momentin kur jahti është ndaluar.

Pas ndalimit, mjeti lundrues po shoqërohet drejt Porto Palermos, ku pritet të kryhen kontrollet dhe verifikimet lidhur me ngjarjen dhe përdorimin e armës së zjarrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos