Gazetari i A2CNN, Armand Bajrami, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, dha detaje nga QSUT ku po trajtohen të lënduarit nga flakët që pushtuan një pallat te “Farmacia 10 në Tiranë”.
“Fatmirësisht, zjarri i përmasave të mëdha që ra në një kompleks banimi nuk shënoi viktima, por as persona të lënduar rëndë. Sipas burimeve, janë 7 persona që kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT. 3 prej tyre ishin punonjës të zjarrfikëses”, tha Bajrami.
Më tej, gazetari sqaroi se problemet më të mëdha të këtyre personave lidheshin me asfiksinë.
“Vetëm dy gra kanë pasur edhe djegie të lehta. Pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme, janë dërguar në urgjencë për trajtim nga asfiksia. Të 7 personat janë nën kujdesin e mjekëve, pa rrezik për jetën dhe pa rrezik për komplikacione të tjera të mëtejshme”, shtoi gazetari.
(A2 Televizion)