
Policia e Shteti ka dhënë detaje të tjera në lidhje me operacionin “Ghost Call”, i cili goditi një skemë të gjerë mashtrimi kompjuterik përmes call center-ave, pas një hetimi 2 vjeçar.
Si rezultat i ndërhyrjes, u zbuluan 12 ambiente të përdorura për këtë aktivitet kriminal. Në pranga u vunë 10 persona, ndërsa për disa të tjerë u ekzekutuan masa sigurie ose u shpallën në kërkim.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 891,735 euro të dyshuara si të përfituara nga mashtrimi, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera elektronike që shërbenin për realizimin e aktivitetit.
Sipas hetimeve, personat e përfshirë kishin role të ndryshme, përfshirë drejtimin e ekipeve që operonin në këto call center-a, ku kryhej mashtrim ndaj qytetarëve të huaj.
Aksioni u realizua pas një kërkese për informacion nga autoritetet austriake, çka çoi në zbulimin dhe dokumentimin e plotë të skemës kriminale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dyshuar, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Finalizohet operacioni i koduar “Ghost Call”.
Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake, me mbështetjen e EUROPOL, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Goditet, si rezultat i një hetimi 2-vjeçar, një skemë mashtrimi kompjuterik nëpërmjet call centerave.
Zbulohen 12 ambiente të vëna në funksion të kësaj skeme.
Vihen në pranga 10 shtetas, ekzekutohen 2 masa sigurie të tjera për 1 shtetase, si dhe shpallen në kërkim 4 shtetas, të përfshirë në këtë veprimtari, me role të ndryshme.
Sekuestrohen 891 735 euro të dyshuara të përfituara nga kjo skemë mashtrimi, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), nëpërmjet të cilave kryhej aktiviteti.
Operacioni “Ghost Call”, për goditjen e mashtrimit kompjuterik të kryer nëpërmjet call centerave, rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat për hetimin e krimit kibernetik, gjatë 2 viteve. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave për hetimin e krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, dhe rezultoi me zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Me vendimin nr. 3410 të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës lejoi kontrollin në 3 subjekte në Tiranë, si dhe në 9 banesa të shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Gjatë ndërhyrjes, në këto ambiente u gjetën shtetas të punësuar si operatorë, duke kryer mashtrim kompjuterik.
Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u ekzekutuan 5 nga 7 masa sigurie “Arrest në burg”. Konkretisht, u ekzekutua kjo masë, për shtetasit E. D., 47 vjeç, M. H., 23 vjeç, T. A., 22 vjeç, L. T., 32 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç. Me të njëjtën masë, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. H., 30 vjeç dhe M. L., 28 vjeç.
Më tej, u ekzekutuan masat e sigurisë “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasen A. V., 33 vjeç. Ndërkaq, me të njëjtat masa u shpall në kërkim shtetasi L. C., 25 vjeç.
Në vijim të operacionit “Ghost Call”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 38 vjeç, E. H., 26 vjeç, B. B., 25 vjeç, K. D., 25 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. J., 24 vjeç.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari.
Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, pjesëmarrës në operacion.
Gjatë kontrolleve u gjetën 891 735 euro, 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Ndërkaq, vijojnë hetime për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në të.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar në këtë fushë, dhe garanton anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm. (A2 Televizion)