Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se grupet kriminale shqiptare janë fuqizuar shumë në rrafshin ndërkombëtar dhe shtoi se këto grupe bashkëpunojnë me kartele serbe dhe malazeze, që “kanë pjesë të këtyre grupeve bashkëpunëtorë të Arkanit, njerëz që dikur kryenin krime lufte në Kosovë”.
“Policia shqiptare ka dy episode që meritojnë të vlerësohen. E para është pas 97-ës, patë një organizim shumë të mirë të Policisë së Shtetit edhe luftoi të gjitha bandat, përgjithësisht bandat e grabitësve, që kanë qenë problematike kudo. Është edhe periudha nga viti 2005 deri në 2009, që pati realisht një goditje karshi disa grupeve kriminale, banda e Durrësit, banda e Lushnjës, disa grupe kriminale në Tiranë dhe goditje që u finalizuan deri në vendime gjyqësore, pra në sekuestrim pasurie, në implementimin e ligjit antimafia. Tani, ka ndodhur diçka. Ne kemi parë fenomenin e ri, kemi parë fuqizimin në rrafshin ndërkombëtar. Pra, nëse dikur grupet kriminale tona kishin akses ose kishin aktivitet në Itali apo në Greqi dhe shumë pak në Gjermani, tani aktiviteti është bërë shumë më dinamik. Është e pamundur që të gjesh një vend të Bashkimit Europian apo të vendeve nordike ku ne nuk kemi dosje që na vijnë nga partnerët ndërkombëtarë. Vetëm në Amerikën Latine në 5-6 vitet e fundit ne kemi pasur tetë të vrarë”, tha Bushkolaj.
“Janë njerëz që i kemi me emra dhe zinxhiri i vrasjeve na tregon që ka pasur një bashkëpunim të karteleve shqiptare me kartele serbe dhe malazeze, pasi e tillë vjen lista e vrasjeve dhe zinxhiri i hakmarrjeve dhe këtë e konfirmoi dhe vetë zoti Altin Dumani. E konfirmoi me vizitën që bëri në Mal të Zi. E konfirmoi me vizitën që kryeprokurori i Serbisë bëri në Shqipëri dhe kur u pyet në Parlament pranoi që grupet kriminale shqiptare për fat të keq kanë bashkëpunuar me kartele droge nga Mali i Zi, që për fat të keq janë shumë të forta në tregun ndërkombëtar dhe çfarë është më e rënda, shumë prej tyre kanë pjesë të këtyre grupeve bashkëpunëtorë të Arkanit, njerëz që dikur kryenin krime lufte në Kosovë”, shtoi Bushkolaj.
(A2 Televizion)
