Aksident i rëndë në Gjermani, MEPJ: Tre shqiptarë kanë humbur jetën, 4 të plagosur

Nga A2 CNN
25 Maj 2025, 19:26 | Kronikë

Ministria e Jashtme përmes një postimi në rrjetet sociale njofton se në një aksident të rëndë rrugor, të regjistruar këtë të dielë në Gjermani, kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë.

Sipas njoftimit të MEPJ, si pasojë e aksidentit katër shqiptarë kanë mbetur po ashtu të plagosur dhe po trajtohen me ndihmë mjekësore.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale”, thuhet në njoftim.

Sakaq, sqarohet më tej se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet.

Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos