Aksident me vdekje në aksin ‘Këlcyrë-Përmet’, shoferi i dehur i furgonit përplas 71-vjeçarin me biçikletë

Nga A2 CNN
24 Maj 2025, 12:42 | Kronikë

Aksident me vdekje në aksin ‘Këlcyrë-Përmet’,

Një 36-vjeçar në Gjirokastër ka rënë në prangat e Policisë, pasi ka aksidentuar për vdekje një 71-vjeçar që po lëvizte me biçikletë.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor "Këlcyrë-Përmet", shkruan A2 CNN.

Po ashtu, në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se 36-vjeçari në momentin e aksidentit ishte duke drejtuar automjetin tip furgon në gjendje të dehur.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër-Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë shtetasin D. B., 36 vjeç, banues në Përmet, pasi mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor "Këlcyrë-Përmet", duke drejtuar automjetin tip furgon në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetasin R. N., 71 vjeç, banues në Përmet, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë 71-vjeçari ka humbur jetën në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos