I akuzuar për tentativë vrasje dhe drogë, arrestohet 44-vjeçari turk në Tiranë

Nga A2 CNN
24 Maj 2025, 10:34 | Kronikë

I akuzuar për tentativë vrasje dhe drogë, arrestohet

Është arrestuar në Tiranë një 44-vjeçar turk, i akuzuar në vendin e tij për vepra të rënda penale, përfshi edhe atë të ‘tentativë vrasje’.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se i arrestuari ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës në Turqi, ku edhe ishte akuzuar nga 2 autoritete atje.

Po ashtu, Policia bën të ditur se arrestimi i këtij shtetasi është kryer me qëllim ekstradimin në Turqi, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Multiple”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.

I akuzuar nga 2 autoritete në Turqi, për disa vepra të rënda penale, ndër to tentativë vrasjeje, kapet në Tiranë, kreu i një organizate kriminale.

Si rezultat i punës operacionale profesionale dhe të mirorganizuar të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe i bashkëpunimit të ngushtë me homologët turq, u finalizua operacioni policor i koduar “Multiple”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, U. O., 44 vjeç.

-Prokuroria e Izmirit i ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim të dokumenteve dhe heqje të paligjshme të lirisë.

-Gjykata e Lartë e Karsiyakës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Turqi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 44-vjeçarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos