
Një aksident me pasojë vdekjen e një të mituri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”.
Dy automjete tip Benz dhe Peugeot janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje një 16-vjeçar i identifikuar me inicialet O.M.
Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije për A2 CNN se viktima i ka prerë rrugën automjetit tip Benz, i cili po udhëtonte nga Poçemi në drejtim të Levanit, teksa i mituri po dilte në autostradë nga Cakrani.
Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje së bashku me grupin hetimor për të bërë të mundur përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti me pasoja fatale për jetën.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor "Levan-Tepelenë", në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç.
Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. (A2 Televizion)