“Katër të rinjë ndërruan jetë tragjikisht në një aksident të rëndë të ndodhur në zonën e Fushë-Prezës. Ata udhëtonin me një automjet tip Benz që u përplas me një betoniere që drejtohej nga një 24 vjeçar. Ky i fundit menjëherë pas aksidentit u largua nga vendngjarja, për t’u ndaluar pak minuta më vonë”.
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:50 minuta të së mërkurës. Viktimat janë të moshës 20 deri në 25 vjeç. Enejdi Laçi, vëllai i tij Erildi Laçi, kushëriri dhe shoku i tyre Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti.
Ata ishin duke u kthyer nga aeroporti i Rinasit, ku kishin pritur të vinte nga Gjermania, njëri prej dy vëllezërve, 20-vjeçari Erildi Laçin.
“Benz-i” që drejtohej nga 25-vjeçari Enejdi Laçi u përplas me betonieren, duke shpërthyer menjëherë në flakë. Të parët që konstatuan ngjarjen tragjike ishin një patrullë e policisë rrugore e pozicionuar disa metra më tej.
Pavarësish ndërhyrjes, të rinjtë nuk mundën të shpëtoheshin pasi flakët e zjarrit u përhapën me shpejtësi.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se mjeti tip Benz lëvizje me shpejtësi tej normave të lejuara dhe pa mundur të frenojë në rrugë. Një tjetër faktor mësohet të ketë qenë edhe mungesa e ndriçimit në rrugë si dhe mospasja e shenjave dalluese e sinjalizuese të betonieres. Ky mjet që drejtohej nga 24 vjeçari Aleksandër Krrashi, sapo kishte dalë në rrugë kryesore nga pika e qëndrimit ku prodhohej edhe beton, e ndodhur rreth 50 metra nga vendi i përplasjes.
Ai i tha policisë se u largua nga vendngjarja pasi ishte i tronditur nga ajo që ndodhi. Rezultoi se 24-vjeçari nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për mjetet e transportit të rëndë.
Ai u arrestua për tre vepra penale, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ndërkohë, një tjetër hetim paralel po kryhet edhe për pronarët dhe administratorët e firmës për të verifikuar mënyrën e punësimit të të riut. (A2 Televizion)