
Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë pasi automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të kësaj të diele, në aksin rrugor Lushnjë–Berat, pranë fshatit Çukas, shkruan A2 CNN.
Sipas informacioneve paraprake, në mjet udhëtonte një çift bashkëshortësh, Bilbil dhe Xhevahire Nure. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një defekt në sistemin e drejtimit të automjetit, konkretisht bllokimi i timonit.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas janë nisur drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. (A2 Televizion)