Mediat në Gjermani kanë zbuluar detaje të reja rreth aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit në qytetin e Koblenz, ku kanë mbetur të vdekur tre shtetas shqiptarë.
Sipas autoriteteve gjermane gjashtë pasagjerë të tjerë në automjetin që rezulton të jetë një minibus me nëntë vende, kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spitalet lokale, ku po trajtohen me ndihmë mjekësore.
Një zëdhënës i zjarrfikësve tha për DPA-në se një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç humbën jetën në aksident. Gjashtë personat e tjerë ishin midis moshës 20 dhe 66 vjeç dhe nuk u plagosën rëndë.
Autoritetet kanë sqaruar më tej se grupi prej 9 personazh po kthehej nga një festë familjare në shtetin e Hessen kur ndodhi aksidenti në orët e para të mëngjesit.
“Nuk ka indikacione se shoferi 22-vjeçar ishte nën ndikimin e alkoolit ose drogës”, tha policia, duke i kërkuar publikut të mos përfshihej në spekulime. “Është një aksident shumë, shumë i tmerrshëm”, shtoi një zëdhënës i policisë së Koblenzit.
Shkaku i aksidentit është ende i paqartë dhe identiteti i disa personave në minibus nuk është konfirmuar ende, por gjetjet fillestare treguan se minibusi kishte dalë nga autostrada A48 dhe ishte përmbysur.
Asnjë automjet tjetër nuk është përfshirë në këtë aksident. “Autostrada u rihap në mëngjes pasi qëndroi e mbyllur për më shumë se katër orë”, tha një zëdhënëse e policisë rrugore.
Autostrada A48 kishte qenë më parë plotësisht e mbyllur midis kryqëzimeve Koblenz dhe Ochtendung ndërsa kryheshin punimet e rimëkëmbjes. Trafiku u devijua nëpërmjet A61.
(A2 Televizion)