Aksidenti tek kthesat e Koshovicës. Del video, avokatët: Profesori italian, i pafajshëm

Nga Armand Bajrami
16 Shkurt 2026, 19:59 | Kronikë

Avokatët e italianit Michele D’Angelo, profesorit në Universitetin e Aquilas, i akuzuar si shkaktar i një aksidenti rrugor në Fier, ku humbi jetën një 15-vjeçar e u plagosën 3 persona të tjerë, pretenduan publikisht pafajësi të klientit të tyre.

Profesori drejtonte një mjet “Lancia” në aksin e vjetër Fier-Levan, mbrëmjen e 8 gushtit 2025, kur u përplas me autometin “Mercedes” të të lënduarve që vinte përballë tij, ndërsa manovroi majtas për të hyrë tek një restorant.

Në një dalje për median, duke publikuar pamjet e momentit të aksidentit, avokatët thanë se, ndryshe nga sa pretendon prokuroria e Fierit, profesori D’Angelo ka manovruar në një vend ku vija ndarëse e rrugës ishte e ndërprerë, sinjalistikë që lejon kthimin dhe se përplasja ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë të mjetit “Mercedes”, shkruan A2.

Avokati Visha mohoi edhe akuzën e prokurorisë për largim të profesorit D’Angelo nga vendi i aksidentit, ndërsa avokati italian Fabio Maria Galiani tha se dalja nuk ishte një nismë kundër drejtësisë shqiptare.  

Michele D’Angelo akuzohet nga Prokuroria e Fierit për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

Pasi u vetëdorëzua në policia ai u mbajt për gati 2 muaj në masën e sigurisë “arrest në burg”, masë që u zbut kundrejt garancisë pasurore tetorin e vitit të shkuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos