Safet Bajri (Rustemi) u zhvendos mëngjesin e sotëm nga Blloku i Sigurisë në Gjykatën e Posaçme, ku po përballet me gjyqtaren Irena Gjoka për verifikimin e masës së sigurisë "arrest në burg".
Në të njëjtën seancë verifikohen masat edhe për Astmer Bilalin dhe Behar Brajoviç, të cilët ishin në paraburgim për të tjera krime, shkruan A2 CNN.
Bajri, Bilali e Brajoviç akuzohen për "vrasje me paramendim", "grup kriminal" dhe "kryerje veprash nga organizata kriminale" në dëm të Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.
Kujtojmë se Safet Bajri u arrestua pak ditë më parë pranë banesës së tij në Dobraç të Shkodrës dhe u soll në kryeqytet.
Kujtojmë se Bajri figuronte edhe në bisedat e zbërthyera në aplikacionet Sky Ecc dhe Encrochat, ku flitej për krime të rënda, përfshi plane për vrasje.
Seanca për Bajrin dhe dy të tjerët u ndërpre për arsye procedurale. Gjyqtarja Irena Gjoka do të verifikonte, si gjyqtare e gatshme, masën e dhënë në mungesë nga gjyqtarja Etleva Deda, për shkak se kjo e fundit ndodhej jashtë vendit.
Por, mëngjesin e sotëm gjyqtarja Deda është paraqitur në punë dhe tashmë do të konsumohet procedura e rikalimit të akteve të dosjes në duart e saj. (A2 Televizion)