Ambasadori i BE-së në Shqipëri takim me kreun e ri të SPAK: Të vijojë lufta kundër krimit dhe korrupsionit

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 16:17 | Kronikë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri takim me kreun e ri të SPAK:

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonzato ka publikuar edhe fotografi nga takimi, teksa shkruan se e përgëzoi SPAK për arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po ashtu Gonzato shkruan se e inkurajoi Brahon që të vijojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, përcjell A2 CNN.

Në mbyllje Gonzato thekson se Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Postimi i Gonzatos:

Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos