Plagosi personin që i ngacmoi gruan, vetëdorëzohet polici Erjon Goxhara

Nga A2 CNN
21 Gusht 2024, 17:37 | Kronikë

Erjon Goxhara, polici që plagosi me armën e shërbimit personin që i ngacmonte gruan, është vetëdorëzuar pasditen e së mërkurës.

Goxhara qëlloi tek këmbët 45-vjeçarin Lorenc Kosta. Për prokurorinë ngjarja është klasifikuar si vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, ndërsa ish-efektivi tashmë akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.

Burime pranë grupit hetimor thanë se ky është fundi i një serie debatesh të Goxharajt me të plagosurin, ku mësohet se herë pas here ai i ka kërkuar Kostës që të ndalojë ngacmimet ndaj partneres së tij pasi kjo e fundit ishte ankuar vetë tek efektivi.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën "Tish Daija", sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos