Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është nisur nga paraburgimi i Durrësit në drejtim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku sot do të mbahet seanca mbi ankimimin e tij për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Seanca për Veliajn do të nis në orën 10:00. Kryebashkiaku i Tiranës prej rreth 1 muaji ndodhet pas hekurave, prej datës 10 shkurt kur u arrestua në zyrë nga agjentët e BKH me urdhër të SPAK.
Gjyqtari Engert Pëllumbi do të drejtojë seancën në Apelin e Posaçëm. Ai njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në Apel Veliaj kundërshton masën "arrest në burg" të caktuar nga Shkalla e Parë pas dyshimeve të ngritura nga SPAK ndaj tij për përfshirje në "korrupsion" dhe "pastrim të parave".
Bashkë me Veliajn në Apel kundërshton masën "arrest në burg" edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Tufa masën "detyrim paraqitje". (A2 Televizion)