Katër muaj pas konfliktit të përgjakshëm pranë shkollës “Fan Noli”, ku u vra me thikë 14-vjeçari Martin Cani, prindërit e tij mbërritën në Gjykatën e Tiranës për seancën paraprake ndaj të akuzuarit për krimin, 14-vjeçarin tjetër me iniciale M. P. Për disa minuta, si palë e dëmtuar në ngjarje, ata u gjetën në të njëjtën sallë me të riun e marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës për “vrasje në rrethana cilësuese”, ndaj një të mituri ose kundër dy ose më shumë personave. Seanca e planifikuar të hënën dështoi, për shkak të mungesës së avokatit të të miturit të plagosur rëndë në ngjarjen e nëntorit në kryeqytet. Jashtë sallës së gjyqit, familjarët e Martin Canit kërkuan përgjegjësi edhe nga stafi i shkollës “Fan Noli”, për të cilët Prokuroria e Tiranës ka veçuar një hetim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, shkruan A2 CNN.
Nëna e Marios shprehu: “Unë e kam thënë dhe nuk tërhiqem. Do luftoj deri në fund që të dalë drejtësia. Ne nuk kemi qenë të thirrur as nga arsimi, as nga mësuesit dhe fëmija im e humbi jetën në mënyrë tragjike dhe në rrethana që ishin të menduara.”
“Kemi pritshmëri që ajo dosje për ‘shpërdorim detyre’, qoftë e shkollës, qoftë e institucioneve shëndetësore, të hetohet me detaje. Të shkojmë deri në pikën që të gjenden të gjithë ata persona që kanë përgjegjësi për ngjarjen që ndodhi në shkollën ‘Fan Noli’,” tha avokati Redi Ramaj.
“Sot më ndodhi mua. Nesër mund t’i ndodhë kujtdo.”
Sipas prokurorisë së Tiranës, më 18 nëntor të vitit të shkuar, i pandehuri ka qëlluar me dashje me thikë në kraharor Martin Canin, duke shkaktuar vdekjen, dhe po ashtu ka plagosur rëndë shokun e tij. Referuar mjetit të përdorur dhe shpeshtësisë së goditjeve, aty për aty, i pandehuri ka kryer veprime për të vrarë edhe shokun e Marios, por ky i fundit është kundërpërgjigjur me grushte dhe ka ikur me vrap, duke e lënë veprën në tentativë. Për shkak të moshës së mitur të të pandehurit, gjykimi i kësaj çështjeje pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura. Seanca e radhës është caktuar për më 27 mars. (A2 Televizion)