Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, duke e shpallur fajtor për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve publikë.
Laho u dënua me 3 vite burg, por përfitoi ulje prej 1/3 për gjykim të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burg. Shpenzimet procedurale iu ngarkuan të pandehurit.
Sipas hetimeve të SPAK, Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, i dënuar më herët me 2 vite burg për korrupsion, shumën prej 600 mijë lekësh dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronësie. Shuma e parave, sipas SPAK është dhënë në formë ryshfeti dhe që të mos bëhej ankimim në Apel për një çështje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Aleksandër Laho është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai mbeti i plagosur në vitin 2019, në atentatin që iu bë prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, me të cilin ndodhej në të njëjtën makinë, ku ndërroi jetë shoferi Andi Maloku.
Në atë kohë, atij iu sekuestrua telefoni nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të avokaturës së shtetit për rastin korruptiv.
Aleksandër Laho vijon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare, ndërsa avokati i tij ka pretenduar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak se pas atentatit në vitin 2019 nuk mori ndërhyrjen e duhur mjekësore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe një këmbë.
Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
- Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
- shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025. (A2 Televizion)