Erion Veliajt i komunikohen akuzat në paraburgimin e Durrësit

Nga Armand Bajrami
23 Korrik 2025, 14:41 | Kronikë

Erion Veliajt i komunikohen akuzat në paraburgimin e Durrësit

Në burgun e Durrësit, Erion Veliajt i janë komunikuar akuzat “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”, raporton A2 CNN.

Në burg u paraqitën këtë të mërkurë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorët e SPAK, të cilët i komunikuan kryetarit të Bashkisë Tiranë akuzat zyrtare të ngritura ndaj tij.

SPAK i ka komunikuar akuze edhe efektivit të policisë së burgjeve që i dha telefonin Veliajt teksa e shoqëronte nga paraburgimi i Durrësit në Apelin e Posaçëm. Efektivi është marrë i pandehur për futje të sendeve të palejuara në ambientet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzat edhe bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxës. Njëkohësisht SPAK ka zgjatur afatin e hetimit deri në 29 shtator, raporton A2 CNN.

Për llogari të dosjes "Veliaj", SPAK i ka komunikuar akuzë edhe biznesmenit M. Lika. Sipas SPAK, Lika akuzohet për "fshehje të ardhurash".

Komunikimi i akuzave ndryshon statusin juridik të kryebashkiakut, nga person nën hetim në të pandehur.

Gjatë së martës në SPAK u paraqit biznesmeni Elman Abule, një nga të hetuarit e dosjes “Veliaj”, të cilit ju komunikua akuza e “pastrimit të parave”. Abule shoqërohej nga avokatja e tij dhe në dalje nuk pranoi të komentojë.

Erion Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti. Në vijimësi ai ka bërë përpjekje për zbutje të masës, por pa sukses. Përpjekja e fundit e tij ishte në Gjykatën e Lartë dy javë më parë, ku nuk mundi të zbuste masës “arrest në burg”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos