Aplikacioni “agjencia dixhitale”, si të denonconi shkeljet e policëve?!

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 17:22 | Kronikë

“Agjencia Dixhitale” është aplikacioni më i fundit që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në dispozicion të qytetarëve për të denoncuar shkeljet që konstatojnë nga punonjës policie, ata të Gardës së Republikës, të shërbimit Zjarrfikës dhe jo vetëm.

Ky aplikacion mund të shkarkohet pa pagesë nga çdo qytetar në çdo aparat celular. Në ekran shfaqen tre kategoritë përkatëse, dhe një qytetar duhet të klikojë mbi shërbimin që do të denoncojë.

Më pas ka dy kategori, nëse qytetari dëshiron të mbetet në anonimat të plotë, apo do të identifikohet duke lënë të dhënat e tij, si identitet, numër celulari dhe adresën e e-mail.

Në rast denoncimi domosdoshmërisht kërkohet që qytetari të specifikojë edhe qarkun se ku është kryer shkelja, si dhe për ilustim foto apo video nëse disponon diçka të tillë.

Ky aplikacion nuk është i aksesueshëm vetëm për shtetasit shqiptarë, por edhe të huajt. Në gjuhën angleze qytetari që mund të jetë një turist në vendin tonë mund të denoncojë shkeljet që konstaton. Denoncime apo ankesa mund të bëhen edhe për parregullsitë që konstatohen në bregdetet shqiptare.

Mësohet se që në ditën e parë të vënies në funksion të aplikacionit, nisën edhe denoncimet dhe ankesat e para. Më shumë se 30 raste të kryera, shumica në Tiranë, për ndërtime pa leje, parkime të gabuara e deri tek vendosja e gjobave të gabuara.

Nëse nga punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore do të konstatohen shkelje, materialet do të referohen në prokuroritë përkatëse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos