Gjykata e Tiranës dëgjoi tre dëshmi në procesin ndaj të miturit të akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit Martin Cani.
Një mësuese, oficerja e sigurisë dhe një polic bashkiak rrëfyen detaje mbi konfliktet e mëparshme të nxënësve në shkollën Fan Noli, mosmarrëveshje që kulmuan me vrasjen e fëmijës Martin Cani.
Oficerja e sigurisë Jetmira Kuka i tha gjykatës se i kishte treguar mësuesja e shkollës Klodiana Saliasi për disa nxënës qe kishin folur me tone të larta dhe se këtë bisedë po e kryenin më tualet. Oficerja dëshmoi se kishte shkuar dhe kishte parë qe nxënësit nuk ishin më në tualet e për këtë ka thirrur nxënësin Martin Canaj, shkruan A2 CNN.
Sipas saj i mituri i ka thënë se kishte folur me zë të lartë e kishte sharë në tërësi. Por aty këtë gjë e kishte marrë personale M. Përlleshaj dhe kishin bërë debat. “Thirra Përlleshajn dhe më shpjegoi se nuk kishte asnjë problem mes tyre dhe se ishin në rregull”, citohet të ketë thënë ajo.
I akuzuari nuk ishte i pranishëm në seancë ndërkohë që gjyqi u shty për në datën 14 korrik. Gjyqtarja Marinela Osmani ka vendosur ta njoftojë sërish 14-vjeçarin mbasi pritet që ai të pyetet ose të refuzojë kërkesën për t’u pyetur.
Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”. Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tri ditë më parë brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, ai u rindez sërish brenda shkollës.
Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes. (A2 Televizion)