Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit. Përme snjë postimi në rrjetet sociale, drejtoria e burgjeve njofton se Ndoci ndodhej në paraburgim prej vitit 2020 për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese dhe organizatë kriminale, shkruan A2 CNN.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ai ishte dërguar për vizitë mjekësore pas rekomandimit të mjekut të institucionit. Gjatë qëndrimit në spital, pasi kërkoi të shkonte në tualet, ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke arritur të arratiset.
Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit. Për këtë arsye, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës dhe janë ndaluar disa punonjës të Policisë së Burgjeve dhe staf shëndetësor.
"Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve", thuhet në njoftim.
Ndërkohë Drejtoria e Burgjeve njofton se po forcon masat e sigurisë në të gjitha institucionet penitenciare.

Deklarata për shtyp e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:
• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. (A2 Televizion)