
Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona, të cilët akuzohen se kanë kryer disa vjedhje banesash në kryeqytet. Të tre të arrestuarit kanë qenë të dënuar më parë për të njëjtin krim, shkruan A2.
Zbardhen 3 vjedhje të kryera nga ky grup, gjatë muajit janar. Njëra prej vjedhjeve u krye dje, ndërsa në njërën prej banesave, u vodhën 14 000 euro dhe sende me vlerë.
“Pjesëtarët e grupit fillimisht fotografonin bravat e dyerve të banesave. Më pas, pamjet studioheshin nga pjesëtarët e grupit, për të zbërthyer mekanizmin dhe për të mundësuar hapjen, me çelës universal”, tha policia.
Në pranga u vunë shtetasit A. M., 36 vjeç, S. T., 35 vjeç dhe G. K., 38 vjeç.
“Nga hetimet dyshohet se 3 shtetasit, të organizuar si grup, më datë 7 janar, kanë vjedhur në një banesë në rrugën “Don Bosko”, më datë 10 janar, kanë vjedhur 14 000 euro dhe sende me vlerë në një banesë në rrugën “Dritan Hoxha”, dhe dje, kanë vjedhur në një banesë në rrugën “Don Bosko”. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)