Arratisja a Altin Ndocit, arrestohen 8 persona

Nga Elitjona Doko
14 Janar 2026, 10:04 | Kronikë

Tetë persona janë arrestuar nga policia pas arratisjes së të burgosurit të rrezikshëm Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, raporton A2 CNN.

Tetë të arrestuarit për "shpërdorim detyre" janë zyrtarë të burgut të Durrësit, ku Ndoci po qëndronte në paraburgim, i akuzuar si përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, mes të cilave vrasjen e 4 personave.

Në pranga ranë, Aulon Çuko, kryeinfermieri i IEVP Durrës, si dhe Dezdemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferollari, Preng Marvataj, Fation Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.

Ndoci, pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, konsiderohet si person i rrezikshëm, pasi akuzohet ndër të tjera edhe për vrasje. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, "pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali".

Ndoci ka gënjyer policin qe po e ruante, duke i thënë se donte të shkonte në tualet dhe ka arritur t’ia mbathë. Kur e ka parë që po largohej, efektivi ka qëlluar në ajër po pa arritur ta ndalojë.

Ndoci konsiderohet pjesë e klanit Çopja nga Elbasani dhe është pjesë e dosjes së SPAK me 33 të pandehur për këtë organizatë kriminale. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes të cilave edhe “vrasje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos