Një tjetër shtetas shqiptar i arrestuar nga policia në Greqi është arratisur nga burgu. Mediat greke e përshkruajnë si një skenar filmi mënyrën se si 41-vjeçari Gentian Çipi mundi të largohej nga Spitali i Serresit, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor nga burgu i Nigritës, në veri të Greqisë. I burgosuri ndodhej në automjet, nën shoqërimin e dy efektivëve të burgut, në zonën e spitalit psikiatrik, kur dy persona të tjerë u afruanme një automjet që mbante simbole policie, për ta bërë skenarin e arratisjes sa më të besueshëm.
Nën kërcënimin e kallashnikovëve, ata neutralizuan efektivët, u morën pistoletat dhe më pas u larguan së bashku me 41-vjeçarin shqiptar. Në momentin e arratisjes, brenda spitalit ndodheshin edhe dy të ndaluar të tjerë, të cilët u transportuan me një eskortë tjetër. Çipi ishte arrestuar vitin e kaluar nën akuzën e tentativës së vrasjes, ndërsa dyshohej edhe për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike dhe armëve.
Pas marrjes së njoftimit, autoritetet greke nisën kërkime të gjera për kapjen e 41-vjeçarit, por edhe të personave të armatosur që morën pjesë në operacionin e organizuar për lirimin e tij.
Në 20 vitet e fundit, të paktën 18 shtetas shqiptarë rezultojnë të jenë arratisur nga burgjet apo institucionet e vuajtjes së dënimit në Greqi, duke kapërcyer muret rrethuese apo duke shfrytëzuar transferimet dhe qëndrimet për trajtim mjekësor.
Ndër rastet më të njohura është ai i Alket Rizait, i cili arriti të arratisej dy herë nga burgu i Korydallosit, në vitet 2006 dhe 2009. (A2 Televizion)