
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar shtetasin Klement Kursa, 38 vjeç, nga Dibra, me banim të përkohshëm në Gjirokastër. Arrestimi i tij ka ardhur pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një vajzë 12-vjeçare. Kjo e fundit është e bija e bashkëjetueses së 39-vjeçarit në Gjirokastër, shkruan A2 CNN.
Zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë nga ana e Policisë së Gjirokastrës përmes metodave hulumtuese, ndërkohë që deri më tani nuk ka një denoncim konkret nga ana e 12-vjeçares apo e të ëmës.
Ndërsa Policia e Gjirokastrës është duke kryer veprimet për ngjarjen e rëndë, bëhet e ditur se Klement Kursa ka qenë i arrestuar pesë ditë më parë në një aksion blic nga Policia e Dibrës dhe ajo e Gjirokastrës, pasi ai, së bashku me vëllain e tij binjak, dyshohet se janë autorë të një vrasjeje të ndodhur në Dibër në vitin 2018.
Në aksionin policor të Gjirokastrës dhe Dibrës më 18 janar, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e binjakëve dibranë në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 3 armë zjarri (2 kallashnikovë dhe 1 pushkë), 1 armë e ftohtë (thikë), 3 krehra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë.
Gjykata e Gjirokastrës e la të lirë Klement Kursën një javë më parë në seancën e vlerësimit të masës së arrestit, ndërsa sot ai është arrestuar sërish për dyshime për ngacmim seksual ndaj vajzës së mitur, bijë e bashkëjetueses së tij gjirokastrite.
Klement Kursa dhe vëllai i tij binjak dyshohet se janë larguar nga Dibra për shkak gjaku dhe janë strehuar në Gjirokastër. (A2 Televizion)